Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se në takim është diskutuar për gjetjen e zgjidhjeve të përkohshme lidhur me çështjen e buxhetit dhe marrëveshjen për fondin e zhvillimit nga Bashkimi Evropian.
“Presidentja kërkoi që të gjenden zgjidhje të ndërkohshme për çështjen e buxhetit dhe për marrëveshjen e fondit për zhvillim nga Bashkimi Evropian. Në realitetin e tashëm, po ndodh ajo që jemi gati për zgjedhjet parlamentare. Në nëntor do të vijë edhe lajmi për shpërndarjen e Parlamentit, e më pas caktimi i datës së zgjedhjeve. Do të ishte në interes të Kosovës që data të caktohet sa më shpejt, ndërsa data 7 dhjetor mund të jetë një opsion”, ka thënë Haradinaj.
Ai theksoi se qëndrimi i Aleancës është që të mos humbet kohë dhe që zgjedhjet parlamentare të mbahen në afatin më të parë kushtetues.

 
         
         
         
         
        

 
        


