Këto dokumente u publikuan në kuadër të projektit “Prishtina në histori”, ku Varg dhe Trembelat solli në formë libri korrespondencën e diplomatit francez, i cili gjatë vitit kritik të pushtetit të Napoleonit dhe në prag të luftës me Rusinë ishte caktuar të ngrinte një nënkonsullatë në Prishtinë.

Dokumentet, të siguruara nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës përmes materialeve të mikrofilmuara, pasqyrojnë përvojën e Vasit në një qytet që atëherë ndodhej në nyjën e rëndësishme të rrugëve tregtare. Misioni i tij ishte mbrojtja e tregtarëve francezë dhe forcimi i pranisë tregtare të Francës në rajon, përballë rivalitetit të Anglisë dhe sfidave lokale.

Në ngjarje morën pjesë ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guérot, drejtori i Institutit Francez, Eduard Mayoral, ambasadori i parë i Kosovës në Francë, Muhamedin Kullashi, si dhe redaktori i përmbledhjes, studiuesi Yll Rugova.

“Mbase gjeografia përreth Prishtinës ka qenë e njëjtë me sot edhe në vitin 1812, por vetë qyteti, siç e shohim nga këto letra, ka qenë krejt ndryshe. Ajo Prishtinë ka përfaqësuar një përvojë të veçantë për paraardhësin tim profesional më shumë se 200 vjet më parë,” – tha ambasadori Guérot gjatë prezantimit.

“Atëherë Kosova ishte në periferi të Perandorisë Osmane; sot është në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian,” shtoi ai.Korrespondenca e botuar përshkruan marrëdhëniet e Vasit me autoritetet lokale të kohës, përfshirë Maliq Pashë Gjinollin dhe nipin e tij Jashar Pashën, duke sjellë vështirësitë, perceptimet dhe përjetimet e një diplomati francez në Prishtinën e fillimit të shekullit XIX.

Sipas redaktorit Yll Rugova, “dhjetë letrat e botuara në frëngjisht dhe shqip ndjekin një rend kronologjik dhe ofrojnë një rrëfim të plotë, me interes jo vetëm për studiuesit, por edhe për lexuesit që duan të njohin më afër atë periudhë.”

Botimi përfshin transkriptimin e materialeve mikrofilmike, përkthimin dhe redaktimin e kujdesshëm të tekstit origjinal. Projekti është realizuar me mbështetjen e Komunës së Prishtinës, Ambasadës së Francës në Kosovë, dhe me kontributin e specialistëve të arkivave e bashkëpunëtorëve të shumtë.

Ky botim ofron një pasqyrë unike të lidhjeve historike ndërmjet Francës dhe Kosovës, duke nxjerrë në pah rëndësinë e Prishtinës në rrjetin tregtar dhe diplomatik të fillimit të shekullit XIX.