Në fshatin Lugbunar të Gjakovës, një person është arrestuar pasi tek ai është gjetur dhe konfiskuar një armë gjuetie me katër fishekë për të cilën nuk kishte leje. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Po ashtu, në rrugën “Yll Morina” në Gjakovë, një person tjetër kosovar është arrestuar pasi tek ai është gjetur një pistoletë me 10 fishekë. Pas iniciimit të rastit, edhe ky i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit.

Në një pikë kontrolli në rrethin e Autostradës Prishtinë-Gjilan, policia ka ndaluar një veturë me targa vendore në të cilën ndodheshin dy persona. Gjatë kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar dy pistoleta me 119 fishekë. Të dyshuarit posedonin leje, por nuk kanë respektuar rregullat e përdorimit të armëve. Pas intervistimit dhe konsultimit me prokurorin, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

Ndërsa në rrugën “Hafez Ali Korca” në Prishtinë, një person është arrestuar pasi dyshohet se kishte shtënë me një pistoletë në një aheng familjar. Policia ka konfiskuar armën dhe 8 gëzhoja të fishekëve. Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa ndaj tij iniciohet rasti për dy vepra penale: armëmbajtje pa leje dhe përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm.