Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se propozimi i partisë së tij për krijimin e një Qeverie të Unitetit Kombëtar u refuzua, ndërsa tani po propozohet formimi i një Qeverie të Pakicës.
Në konferencën për media të mbajtur sot, Abdixhiku tha se ideja e tij bazohej në parimin e përgjegjësisë së përbashkët dhe bashkërendimit shtetëror, ndërsa propozimin e Glauk Konjufcës si mandatar e cilësoi si humbje kohe.
“Fatkeqësisht, ky propozim u refuzua me shpejtësi dhe me furi. Në vend të bashkëpunimit, u zgjodh vazhdimi i krizës, me seanca të pakuptimta, me shkelje kushtetuese dhe me një mungesë të plotë përgjegjësie institucionale,” theksoi Abdixhiku.
Sipas tij, pas gjashtë muajsh vendi ndodhet në një situatë të ngjashme, por më të rënduar – pa institucione funksionale, me ndarje më të thella dhe me pak kohë për t’i adresuar sfidat aktuale.
“Dhe në gjendje të tillë, në fund të këtij cikli që më shumë i ngjan një cirku politik, pra në fund të bllokadës tetë mujore, Kosovës dhe qytetarëve tanë po u propozohet si ‘zgjidhje’ një Qeveri e Pakicës, për periudhë kalimtare, me pretendimin për të trajtuar çështje shtetërore,” tha kryetari i LDK-së.
Abdixhiku shtoi se në Kosovë nuk ka vend për qeveri të pakicës. “Nga viti 1989, në Kosovë vendos shumica,” përfundoi ai.




