Organizata të dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kanë mbajtur një aksion proteste para zyrave të EULEX-it, në shenjë të pesëvjetorit të arrestimit të ish-krerëve të UÇK-së.
Protestuesit mbanin një shirit rreth objektit, ku ishte shkruar: “Pesë vjet padrejtësi e organizuar, 5 vjet turp ndërkombëtar”, duke shprehur pakënaqësinë dhe kërkesën për drejtësi ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së.
Aksioni i organizatave të dala nga lufta para EULEX-it simbolizon padrejtësinë ndaj UÇK-së, duke përmendur emrat e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët janë dërguar në Hagë dhe që tashmë pesë vite po mbahen në paraburgim, sipas tyre në mënyrë të padrejtë.
Kryetari i OVL e UÇK, Hysni Gucati, ka deklaruar se gjykimi në Hagë është zgjatur dhe po zhvillohet me parregullsi të shumta. Ai tha se, si ish-luftëtar i UÇK-së, do të ndërmarrë veprime për të kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së dhe për luftën e drejtë të UÇK-së.
Më herët, organizatat e dala nga Lufta e UÇK-së kanë thënë se ish- krerët po përballen me padrejtësi, karshi të cilës theksojnë se nuk do të dorëzohen.
“Sot bëhen 5 vite nga arrestimi i krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pesë vite padrejtësi, pesë vite që heronjtë e lirisë mbahen larg familjeve dhe vendit për të cilin luftuan. Ne nuk harrojmë dhe nuk dorëzohemi përballë kësaj padrejtësie historike”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK.
Më 5 nëntor 2020, Hashim Thaçi dha dorëheqje nga posti i presidentit të Kosovës, pasi gjykatësi i procedurës paraprake pranë Dhomave të Specializuara e njoftoi se kishte konfirmuar aktakuzën ndaj tij dhe tre ish-bashkëluftëtarëve të tij. “Ashtu, siç kam premtuar, nuk do të lejoj në asnjë rrethanë që para gjyqit të dalë presidenti i Republikës së Kosovës”, pati thënë Thaçi për gazetarët gjatë një konference për media të mbajtur në oborrin e Presidencës së Kosovës. Më 9 nëntor, në paraqitjen e tij të parë para Gjykatës Speciale, Thaçi u deklarua i pafajshëm për të gjitha akuzat që rëndojnë ndaj tij. “Deklarohem i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës”, tha Thaçi, duke e cilësuar aktakuzën ndaj tij si “të paqëndrueshme”.
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, më 5 nëntor bëri të ditur se kishte bërë të gjitha aranzhimet e nevojshme që vullnetarisht të udhëtonte drejt Hagës, pasi ishte njoftuar se ka aktakuzë të konfirmuar ndaj tij nga Dhomat e Specializuara. “E vlerësoj faktin që Dhomat e Specializuara kanë treguar mirësjellje duke më nisur një ftesë për t’u paraqitur në gjykatë, në vend se të më arrestonin në mënyrë të padinjitetshme”, tha Veseli përmes një deklarate për shtyp.
Më 10 nëntor 2020, në paraqitjen e tij të parë para Speciales, Veseli u deklarua i pafajshëm për të gjitha akuzat. “I dëgjova dhe i kam lexuar të gjitha pikat e aktakuzës. Më lejoni të deklarohem me bindje të plotë se jam tërësisht i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës”, deklaroi ai.
Jakup Krasniqi gjendet në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga 4 nëntori 2020. Ai u paraqit para Dhomave të Specializuara më 9 nëntor, dhe për dallim nga Thaçi dhe Veseli, përveç se u deklarua i pafajshëm për aktakuzën, ai mbajti edhe një fjalim. “Unë nuk ndihem fajtor e as përgjegjës për asnjë pikë që thuhet në aktakuzë dhe për asnjë gjë tjetër që thuhet në aktakuzë”, deklaroi ai.
Aktakuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, Rexhep Selimi e ka cilësuar “të padrejtë” dhe është deklaruar i pafajshëm për të gjitha pikat. Sikurse Krasniqi, edhe Selimi më 4 nëntor njoftoi se kishte marrë konfirmimin për aktakuzën dhe ishte nisur drejt Hagës. “Unë po shkoj me kokën lart dhe kurdo që kthehem, do kthehem po ashtu me kokën lart, sepse isha, jam dhe do të jem ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të cilën jam i gatshëm të jap gjithçka nga vetja ime”, kishte shkruar ai po atë ditë në llogarinë e tij në Facebook.
Në kohën kur u arrestua, Selimi ishte shef i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje – partisë që aktualisht është në pushtet – subjekt që ka kundërshtuar themelimin e Gjykatës Speciale. Në paraqitjen e tij para Dhomave të Specializuara, Selimi u shpreh i bindur se procesi gjyqësor do të tregojë se ai dhe UÇK-ja “nuk kemi të bëjmë asgjë me krime e as me ndërmarrje të përbashkët kriminale, siç cilësohemi padrejtësisht në këtë aktakuzë”. “Unë jam veç një çlirimtar që luftën për liri e kam nisur me komandantin legjendar Adem Jasharin dhe e kemi përfunduar me gjeneralin [Wesley] Clark, me NATO-n”, ka deklaruar ai.
Pavarësisht se u bë publike më 5 nëntor 2020, aktakuza ndaj ish-krerëve të UÇK-së ishte konfirmuar më 26 tetor të po atij viti. Dy vjet më vonë, Zyra e Prokurorit të Specializuar ngriti akuza të reja, për të cilat po ashtu Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi u deklaruan të pafajshëm.
Aktakuza e Prokurorit të Specializuar në Hagë kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, përmban gjithsej dhjetë akuza. Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura aty janë kryer në periudhën prej marsit 1998 deri në shtator 1999, në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë. Këto pretendime për krime fillimisht ishin përmendur në një raport të Këshillit të Evropës, që ishte hartuar nga senatori i atëhershëm zviceran, Dick Marty. Raporti i hapi rrugën themelimit të Speciales përmes votimit në Kuvendin e Kosovës më 2015.




