Raporti thekson se bankat në Kosovë operojnë me nivele të larta kapitali dhe likuiditeti, ndërsa kreditë joperformuese mbeten në nivel minimal historik. Vlerësohet gjithashtu miratimi i rregullores për shtesat makroprudenciale të kapitalit dhe planit për zbatimin e SREP, në përputhje me udhëzimet e EBA-s, thuhet në komunikatën e BQK-së.

Në fushën e pagesave, Raporti nënvizon miratimin e Ligjit për Shërbimet e Pagesave, anëtarësimin e BQK-së në EACHA dhe rritjen e ndjeshme të pagesave elektronike, si dhe zgjerimin e shërbimeve financiare në komunat veriore.

Komisioni vlerëson masat e ndërmarra kundër falsifikimit të euros, progresin në digjitalizim dhe financa të qëndrueshme, forcimin e qasjes në financim për NVM-të përmes FKGK, si dhe përparimet në kornizën AML/CFT dhe ligjin për Kripto-Asetet, duke kaluar në mbikëqyrje të bazuar në rrezik.

Raporti njeh gjithashtu forcimin e qeverisjes së brendshme të BQK-së, përfshirë riorganizimin institucional, politikat e avancuara të burimeve njerëzore dhe krijimin e divizionit të sigurisë kibernetike.

Krahas vlerësimeve pozitive, KE rekomandon avancimin e mbledhjes së të dhënave financiare, zhvillimin e kornizës për rimëkëmbjen bankare dhe përmirësimin e infrastrukturës së tregut financiar.

BQK riafirmon përkushtimin për të vazhduar reformat dhe përafrimin e plotë me acquis të BE-së, duke falënderuar Komisionin Evropian për vlerësimin dhe bashkëpunimin.