Policia e Kosovës parandaloi garat e shpejtësisë në Prizren, duke ndërmarrë masa të menjëhershme. Policia njofton se gjobiti 6 drejtues automjetesh me nga 150 euro dhe iu ndaloi drejtimin për një muaj, ndërsa patrullat vijojnë të monitorojnë zonën për të garantuar sigurinë në komunikacion.
Më 5 nëntor, rreth orës 21:50, policia ka marrë informacione për një grumbullim të dyshimtë automjetesh në parkingun e një pike karburanti në dalje të autostradës Prizren Veri.
Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor ka ndërhyrë menjëherë në vendngjarje dhe ka shoqëruar 6 drejtues automjetesh me veturat e tyre në Stacionin Policor.
Secilit prej tyre i është shqiptuar gjobë prej 150 eurosh dhe ndalim i drejtimit të mjetit për 1 muaj, për shkak të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.
Patrullat e autostradës dhe të Stacionit Policor Prizren Veri kanë vazhduar patrullimin në zonë për të parandaluar çdo tentim të organizimit të garave dhe për të garantuar sigurinë në komunikacion.
Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.




