Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, ka pritur sot një delegacion të përfaqësuesve të Shoqatës së Industrisë dhe Biznesit Rumelisiad, nga Bursa e Turqisë, të cilët, sipas njoftimit të qeverisë, shprehën interesim për rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe investimeve në Kosovë.
Energjia, bujqësia, sektori i teknologjisë informative, përpunimit të drurit, shëndetësisë dhe industrisë prodhuese, thuhet se ishin fushat për të cilat u diskutuan për mundësi partneriteti.
“Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje të qëndrueshme, sidomos në 5 vitet e fundit, me rritje për kokë banori me 70% në krahasim me 2021, e cila paraqet njëkohësisht rritjen më të madhe në rajon. Ai rikujtoi edhe rritjen e të hyrave tatimore, e cila është arritur përmes përmirësimit të administrimit fiskal, pa asnjë ndryshim në normat tatimore”, beht e ditur në njoftimin përcjellë medieve nga zyra e zëvendëskryeministrit në detyrë, Bislimi.
Tutje, kanë thënë se përfaqësuesit e Shoqatës u informuan edhe për politikat sociale, dhe ato për nxitjen e punësimit në vend.
“Sidomos tek gratë dhe të rinjtë, me qëllim të shfrytëzimit maksimal të kapacitetit të vendit. Kosova mbetet një vend me stabilitet fiskal, me borxh publik prej vetëm 17.3% të BPV-së, ndër më të ulëtit në rajon, që krijon hapësirë për investime zhvillimore”, thotë Qeveria.
Bëhet e ditur se në takim është diskutuar edhe për fushën e integrimeve rajonale dhe evropiane.
“Kosova ka avancuar me marrëveshje tregtare preferenciale me BE-në dhe SHBA-të, si dhe marrëveshje të tregtisë së lirë me Turqinë, Mbretërinë e Bashkuar dhe së fundmi marrëveshja e arritur me EFTA-n. Njëkohësisht, Kosova sivjet ka kryesuar me sukses proceset në kuadër të CEFTA-s”, thotë njoftimi qeveritar.
Bëhet e ditur se numri dy i qeverisë në detyrë, u ka treguar mysafirëve se pse Zyra për Promovimin e Investimeve është vendosur pranë Zyrës së Kryeministrit.
“Për të përshpejtuar investimet, Zyra për Promovimin e Investimeve është vendosur pranë Zyrës së Kryeministrit, me qëllim të koordinimit më të shpejtë dhe më efikas me sektorin privat. Ai theksoi se Kosova është ndër vendet me rritjen më të shpejtë të investimeve në katër vitet e fundit në rajon, dhe jemi duke punuar që kjo rritje të përshpejtohet edhe më tej”, citon komunikata, Bislimin.
Qeveria thotë se përfaqësuesit e biznesit shprehën interes konkret për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe kulturor, dhe theksuan gatishmërinë për të vepruar si urë lidhëse për investime të reja dhe për shkëmbime ekonomike afatgjata.




