Gjykata Supreme njofton se kolegjet, në seancat e mbajtura sot, kanë shqyrtuar dy ankesa të paraqitura nga subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje, të cilat ishin paraqitur kundër vendimeve të PZAP-së, lidhur me pretendimet për parregullësi gjatë ditës së votimit në Zgjedhjet Lokale të mbajtura më 12 tetor 2025.
Në rastin e parë, me numër lënde AA.nr.106/2025, kolegji gjyqësor e ka hedhur si të palejuar ankesën e paraqitur nga subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje, kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ZL.Anr.221/2025, të datës 17 tetor 2025, duke konstatuar se për të njëjtën çështje tashmë është vendosur nga kjo gjykatë me aktgjykimin A.A.nr.95/2025, të datës 23 tetor 2025, si dhe se për faktin se ankesa ishte parashtruar pas afatit të përcaktuar ligjor.
Në rastin e dytë, me numër lënde AA.nr.107/2025, kolegji gjyqësor e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e paraqitur kundër vendimit të PZAP-së ZL.Anr.358/2025, të datës 29 tetor 2025.
Në këtë rast, Gjykata Supreme ka vlerësuar se vendimi i PZAP-së është marrë në përputhje me ligjin, duke konstatuar se ankesa e paraqitur nga subjekti politik LVV në PZAP, ishte e pasafatshme, pasi nuk ishte dorëzuar brenda afatit ligjor prej 48 orësh, i përcaktuar me nenin 118 të Ligjit nr.08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës.
Në të dyja rastet, Gjykata Supreme ka theksuar rëndësinë e respektimit të afateve ligjore dhe procedurave të përcaktuara me ligj, gjatë ushtrimit të mjeteve juridike në proceset zgjedhore, si garanci për zbatimin e drejtë dhe të barabartë të së drejtës zgjedhore për të gjithë pjesëmarrësit.




