Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka mbajtur mbledhjen e saj të dhjetë për këtë vit, në të cilën janë miratuar një numër i madh licencash dhe autorizimesh të reja në sektorin e energjisë.
Prej gjithsej 80 licencave e autorizimeve të miratuara, tri ishin për furnizim dhe tregtim me energji elektrike, ndërsa 76 për ndërtimin e gjeneratorëve për vetkonsum.
Kryetar i Bordit të ZRRE, Ymer Fejzullahu, theksoi se institucioni po përballet me një numër të madh kërkesash për shkak të liberalizimit të tregut.
“Vlen të theksohet se kemi kërkesa të mëdha për licencim për shkak të liberalizimit të tregut. Këto kërkesa nxisin investime më të mëdha në kapacitetet e energjisë,” deklaroi ai.
Pika e gjashtë e rendit të ditës kishte të bënte me vendimin për rihapjen e procedurës së tenderimit për zgjedhjen e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit (FMF), e cila po ashtu u miratua me katër vota për.
Me katër vota për, bordi miratoi gjithashtu 76 pika të tjera të rendit të ditës, të cilat kishin të njëjtin qëllim – marrjen e autorizimit për ndërtimin e gjeneratorëve për vetkonsum nga aplikues të ndryshëm.
Fejzullahu sqaroi se, për shkak të numrit të madh të kërkesave me qëllim të njëjtë, ato janë miratuar në bllok, ndërsa çdo aplikues do të njoftohet individualisht për vendimin përkatës. “Do t’u dërgohet vendim i veçantë secilës kërkesë përmes arkivës së ZRrE-së,” shtoi Fejzullahu.




