Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve për Kryetarë të tri komunave: Prishtinë, Mamushë dhe Junik.
Ky vendim vjen pas konfirmimit nga PZAP se është përmbyllur vendimmarrja lidhur me procesin e ankesave për këto komuna.
Në vazhdim të mbledhjes u prezantua një raport lidhur me fazën përfundimtare të përgatitjes së raundit të dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave, i cili do të mbahet më 9 nëntor 2025. Në mbledhje u njoftua se ka përfunduar shpërndarja e materialit zgjedhor, një proces që është zhvilluar në disa faza. Fillimisht, më 5 dhe 6 nëntor në Qendrat Komunale të Numërimit janë shpërndarë kutitë e votimit, kabinat e votimit dhe materiale të tjera administrative, ndërkaq më 8 nëntor, nën përcjellje të Policisë së Kosovës, janë shpërndarë materialet tjera zgjedhore, si: fletëvotimet, listat votuese, ngjyra matrikulare dhe vulat.
KQZ njofton se ka vënë në dispozicion disa linja telefonike për qytetarët, vëzhguesit dhe të tjerë për raportim të parregullësive dhe për të kërkuar informacione apo udhëzime për procesin e votimit.
Në ditën e zgjedhjeve, KQZ, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit dhe Policinë e Kosovës, do të funksionalizojë dhomën operative për të bashkërenduar aktivitetet me qëllim të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor.
Qytetarët, vëzhguesit, subjektet politike, kandidatët dhe akterë të tjerë mund të raportojnë parregullësitë në linjat telefonike të dhomës operative:
+383 38 200 23 544
+383 46 130 013
Për informimin e votuesve, KQZ ka siguruar linjën telefonike pa pagesë, që do të shërbejë për informimin e qytetarëve për qendrën e votimit ku janë caktuar dhe për kodin e vendvotimit:
0800 55 555
+383 46 610 061




