Shkodra prej disa vitesh po përjeton një rritje të qëndrueshme dhe të ndjeshme në industrinë e turizmit. Vitet e fundit, qyteti veriperëndimor ka fituar vëmendje të veçantë si një qytet me identitet të fortë historik, kulturor dhe artistik. Atraksionet si liqeni i Shkodrës, Thethi, Velipoja, Shiroka, Kalaja e Rozafës, muzeu “Marubi”, Muzeu Historik dhe jeta e gjallë kulturore e qytetit po tërheqin vizitorë jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga rajoni dhe Evropa.
Drejtori i Turizmit pranë bashkisë Shkodër, Renato Lumçi shprehet për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se “qyteti është në një moment shumë të rëndësishëm tranzicioni dhe rritjeje, dhe detyra e bashkisë është që të vazhdojë ta zhvillojë këtë potencial me kujdes, në mënyrë që zhvillimi ekonomik të shkojë përkrah ruajtjes së identitetit dhe trashëgimisë së Shkodrës”.
Sipas Lumçit, në vitin 2022 në bashkinë Shkodër u regjistruan rreth 264 mijë net akomodimi, ndërsa në vitin 2025 ky numër pritet të arrijë mbi 538 mijë, një dyfishim brenda katër vitesh.
“Vetëm deri në fund të tetorit 2025, numri i netëve të qëndrimit ka tejkaluar shifrën 500 mijë. Qyteti i Shkodrës ka trefishuar numrin e netëve të akomodimit krahasuar me vitin 2022, duke dëshmuar një rritje të qëndrueshme në sezonet jashtë verës. Të dhënat e INSTAT tregojnë se qarku i Shkodrës është ndër dy qarqet me përqindjen më të lartë të rritjes së bizneseve në turizëm në dy vitet e fundit, duke performuar më mirë se shumica e qarqeve të Shqipërisë”, tha Lumçi.
“Nëse dikur Shkodra konsiderohej kryesisht një destinacion veror, sot qyteti po shndërrohet në një qendër turistike gjithëvjetore. Ky transformim nuk ka ardhur rastësisht, por është rezultat i një pune të vazhdueshme në disa drejtime kryesore: investimet në infrastrukturë, promovimi i pasurive natyrore dhe kulturore, forcimi i bashkëpunimit me sektorin privat dhe zhvillimi i një kalendari të qëndrueshëm të aktiviteteve gjatë gjithë vitit”, vijoi ai.
Lumçi u ndal edhe në disa prej projekteve më të rëndësishme ku është investuar nga kjo bashki, për transformim të zonave të ndryshme të qytetit dhe përmirësim të cilësisë së jetës për banorët, qytetarët dhe turistët e shumtë.
“Projekti i parë kryesor është hyrja e Shkodrës. Parku perëndimor, i cili është rreth 18 hektarë ka filluar të ndërtohet, ku brenda tij do të jetë edhe Muzeu i Lundrimit. Është një projekt shumë interesant, i cili do t’u japë mundësi turistëve, por edhe banorëve vendas, për të njohur historikun. Përveç hyrjes së Parkut perëndimor kemi Urën e Bunës, e cila do bëhet me katër korsi, dy në dalje dhe dy në hyrje. Gjithashtu aksi i ri turistik Shirokë-Zogaj, i cili do të ketë një dalje në Malin e Zi, do të jetë një nga rrugët panoramike më të bukura. Ky projekt nuk do të lejojë vetëm kalimin e makinave, por do të pajiset edhe me pistë të posaçme për biçikleta”, pohoi Lumçi, ndërsa ndërtimi i rrugës së Dukagjinit, në segmentin Prekal-Kir, 17 km i gjatë, do të lehtësojë qarkullimin e mjeteve jo vetëm për banorët e zonës, por edhe për turistët e shumtë që do të zbulojnë Dukagjinin, dhe bukuritë e tjera të veriut të Shqipërisë.
Lumçi tha se po punohet njëherësh për ta bërë Shkodrën jo vetëm destinacion detar, por edhe kulturor e historik.
Sipas tij, Velipoja si zonë bregdetare, e njohur për plazhet dhe zhvillimin turistik, ka pasur investime në hotele, bujtina dhe apartamente turistike. Në Shirokë, Zogaj dhe rrethinat e Liqenit të Shkodrës, zona liqenore me potencial të lartë turistik, ku janë shtuar disa bujtina dhe Airbnb për vizitorët që vizitojnë qytetin dhe liqenin.
“Qendra e qytetit shërben si bazë për turistët që vizitojnë Shkodrën dhe për ekskursionistët në zonat malore, ndërsa Thethi ku akomodimet janë rritur dhe banorët kanë kthyer shtëpitë e tyre në bujtina dhe hotele të vogla, dhe infrastruktura turistike (shtigje, shtëpi pritjeje, shërbime) është përmirësuar”, pohoi ai.
Zhvillimi ekonomik dhe urban i territorit të bashkisë Shkodër është i ndërthurur me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, historike e natyrore, dhe kryesisht turizmi kulturor është një nga format dhe shtyllë strategjike që bashkia ka në fokus ta promovojë për një zhvillim gjithëvjetor.
“Nga burimet e mbledhura deri tani, numri i vizitorëve në sitet kulturore të territorit të Bashkisë ka një rritje të konsiderueshme me mesatarisht 30% rritje. Vetëm për parkun arkeologjik Shkodër (Kalaja Rozafa) totali i vizitorëve për periudhën janar-tetor 2025 është 167.109 vizitorë, ndërkohë që për të gjithë vitin 2024 totali i vizitorëve ka qenë 157.827”, vijoi Lumçi.
Gjithashtu, Shkodra e shpallur si “Qyteti Evropian i Sportit 2025”, ka qenë në fokus të disa aktiviteteve kombëtare dhe ndërkombëtare sportive si Shkodra Marathon, Shkodra Summer Cup 2025 (Turneu ndërkombëtar i futbollit për grup-mosha të ndryshme), Euro Basket U16 (event evropian i basketbollit për meshkuj nën moshën 16 vjeç); Triathlon; 1st IPA World Football Tournament 2025 (Turne futbolli 7×7 i organizuar nga International Police Association (IPA) etj.
Lumçi tha se një tjetër strategji është edhe promovimi i Shkodrës si destinacion gjithëvjetor turizmi edhe në aktivitetet e mëdha ndërkombëtare.
“Shkodra në vitet e fundit ka filluar të ketë një qasje më të strukturuar dhe profesionale në promovimin e saj në tregjet ndërkombëtare të turizmit me pjesëmarrje në panaire ndërkombëtare të turizmit, si ITB Berlin dhe FITUR Madrid në Prishtinë etj. Në këto panaire, Shkodra promovohet si pjesë e ofertës turistike kombëtare të Shqipërisë, me fokus në turizmin kulturor, liqenin dhe aventurën natyrore, historinë dhe trashëgiminë. Një element shumë i rëndësishëm i promovimit ndërkombëtar janë edhe eventet ndërkombëtare kulturore dhe sportive që janë të shumta në qytetin e Shkodrës”, tha drejtori i Turizmit pranë bashkisë Shkodër, Renato Lumçi./atsh



