Gjilani ka shënuar fitore të rëndësishme në udhëtim te Malisheva, duke triumfuar me rezultat 2-1.

Skuadra e drejtuar nga Debatik Curri kaloi shpejt në epërsi, kur vetëm pas katër minutash lojë Senad Jarovic shënoi nga afërsia pas asistimit të Enur Totres, për të vendosur shifrat 0-1.

Loja e mirë e Gjilanit vazhdoi, dhe në minutën e 26-të Blerind Morina u gjend bukur në zonë dhe realizoi me kokë, duke dyfishuar epërsinë në 0-2. Me këtë rezultat u mbyllën 45 minutat e para të sfidës.

Në pjesën e dytë Malisheva u përpoq të kthente rezultatin, dhe gjeti golin në minutën e 90-të me mbrojtësin Opeh, por kjo nuk mjaftoi për të shmangur humbjen. Gjilani arriti të mbyllte ndeshjen në mbrojtje dhe të siguronte tre pikë të rëndësishme.

Me këtë fitore, “Skifterat” ngjiten në pozitën e tetë të tabelës me 15 pikë, ndërsa Malisheva renditet një vend më lart, me një pikë më shumë.

Në xhiron e ardhshme, Malisheva udhëton te Prishtina, ndërsa Gjilani do të presë Ferizajn në shtëpi.

Ndërkaq, fitore tejet të rëndësoishme ka arritur edhe Dukagjini që në udhëtim mundi Ferizajn, me rezultat 1-0.

Ndeshja ishte e luftuar nga të dyja skuadrat, por pjesa e parë përfundoi pa gola, me disa raste të rrezikshme për secilin ekip, por pa gjetur rrjetën.

Ferizaj nisi mirë pjesën e dytë dhe shënoi me Betim Haxhimusën, por goli u anulua nga VAR.

Dukagjini përmes Dardan Morinës gjeti golin e fitores.

Kjo fitore i jep Dukagjinit tre pikë të arta dhe ngjitet në pozitën e katërt me 20 pikë, ndërsa Ferizaj mbetet në vendin e nëntë me 14 pikë.

Në xhiron e ardhshme, Ferizaj udhëton te Gjilani, ndërsa Dukagjini pret Drenicën para tifozëve të vet.