Kreu i LDK-së tha se këtë të diele balotazhi, mesazhi i saj ishte i pastër. “Kosova jeton me demokraci. Kjo është vlera më e madhe e jona si popull”, shkroi ai.

Abdixhiku tha se LDK-ja ka fituar në 7 komuna, përfshirë edhe kryeqytetin që ai e quajti si garën kryesore.

“Jemi parti e parë në Prishtinë pas 12 viteve; e fitorja dy herë radhazi këtu është shenjë. Pas rezultatit të fundit nacional, ky rezultat i djeshëm është sinjal i një force që qëndron, rritet e forcohet. Fitoret e komunat nuk na qëndrojnë të garantuara; ato fitohen apo humben nga fillimi në secilën garë. Prandaj faleminderit secilit kandidat e secilës ekipë për fitoret në Pejë, Viti, Junik, Dragash, Lipjan e Istog e Prishtinë, dhe për këtë rezultat që do ta lakmonim gjithnjë”, ka shkruar lideri i LDK-së.

Abdixhiku ka shprehur mirënjohje ndaj atyre që nuk ia dolën të fitonin garën.

“Xhafë, Arbër, Besnik e Ardian, na keni bërë krenarë secilit me mundin e angazhimin e jashtëzakonshëm. Keni punuar fort, keni punuar mbarë, keni punuar me dinjitet në një garë të vështirë e të pabarabartë – kokën lartë, LDK ndihet krenar që ju ka! Betejat vazhdojnë”.

Kryetari i LDK-së, tutje, ka shkruar se ata fituan me ndershmëri e me përkushtim.

“Pa aparat shtetëror, pa interesa klanore, duke refuzuar çdo influencë nga jashtë për ndarje tonën, dhe me plot bindje në veten, qytetarët tanë e qytetet tona. Dhe kjo është forca jonë e vërtetë. Ne mund edhe të fitojmë vet, edhe të bashkojmë të tjerë rreth nesh; dhe kjo është vlerë”, ka shkruar Abdixhiku.

Abdixhiku, përveç që ka falënderuar ata që e votuan partinë që drejton, pati mesazh edhe për ata që nuk kishin votë për LDK-në në zgjedhje.

“Në çdo komunë ku kemi fituar, ne do të jemi qeverisje për të gjithë. Sepse për ne, pushteti është përgjegjësi, jo privilegj. Është detyrë për të dëgjuar edhe ata që mendojnë ndryshe, për të ndërtuar bashkë, për të ecur përpara bashkë edhe me ata që nuk pajtohen me ne. Deri sot, fituesit tanë ishin kandidatë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Nga sot, ata janë kryetarë të të gjithë qytetarëve të komunave të tyre”, ka thënë Abdixhiku.