Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se ka refuzuar dorëheqjen morale të Xhafer Gashit, kandidatit të LDK-së për kryetar të Komunës së Obiliqit, pas rezultatit zgjedhor.
“Humbjet, sikurse fitoret, janë pjesë e një rrugëtimi të gjatë politik, ku qëllimi i përbashkët është gjithmonë më i madh se çdo betejë e vetme,” ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka kujtuar se katër vite më parë LDK në Obiliq kishte vetëm 10%, ndërsa tani është parti e parë me 46%, duke theksuar se kjo arritje është meritë e Gashit dhe ekipit të tij.
Sipas Abdixhikut, Xhafer Gashi është një prej njerëzve që nuk dorëzohet para vështirësive, “njeri i fjalës, i punës dhe i përkushtimit të heshtur ndaj qytetarëve të tij”.
Abdixhiku ka bërë të ditur se e ka rikonfirmuar Gashin në pozitat e tij brenda LDK-së, si në Degën e Obiliqit, ashtu edhe në Kryesi e Këshill të Përgjithshëm, duke theksuar se “LDK nuk i braktis njerëzit e saj në një moment të vështirë; përkundrazi, di të trajtojë edhe fitoren edhe humbjen me dinjitet”.
“LDK qëndron. Dhe bashkë me të, qëndron edhe Xhafer Gashi, në të gjitha sfidat përpara; si simbol i qëndrueshmërisë, i besnikërisë dhe i misionit tonë të përbashkët,” ka përfunduar Abdixhiku.
Ndërkohë, edhe vet Xhafer Gashi ka njoftuar se kryesia e degës së LDK-së në Obiliq nuk e ka pranuar dorëheqjen e tij nga pozita e kryetarit të degës. Ai ka falënderuar anëtarët e kryesisë për mbështetjen dhe besimin e treguar dhe ka theksuar se do të vazhdojë të qëndrojë besnik misionit të përbashkët, duke ecur përpara me unitet, dinjitet dhe përkushtim.




