RTSH
Prokuroria e Posaçme e Shqipërisë (SPAK) i ka dërguar fletëthirrje ish-kryeministrit Sali Berisha për t’u pyetur për çështjen e 21 Janarit.
Fletëthirrja është dërguar në adresën e Parlamentit, Partisë Demokratike dhe në banesën e kryedemokratit Berisha.
Ky i fundit, sipas burimeve për RTSH24, është njoftuar që të paraqitet në SPAK ditën e premte (14 nëntor) në orën 10:00, për të dhënë informacion në lidhje me rrethanat e asaj dite kur gjatë një proteste u vranë katër qytetarë nga armë zjarri e përdorur nga forcat e rendit.
Hetimet e SPAK synojnë të zbardhin përgjegjësit dhe zinxhirin e komandës që çoi në përdorimin e armëve të zjarrit ndaj protestuesve.
Kujtojmë se më 30 tetor, kryetari i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, u paraqit në ambientet e SPAK, duke u bërë për herë të parë personi i thirrur nga ky institucion lidhur me hetimin për ngjarjen e përgjakshme të 21 Janarit 2011. Në datën 21 Janar 2011, Lulzim Basha mbante funksionin e Ministrit të Brendshëm.
Hetimet për 21 janarit 2011 nisën pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës, që prej më shumë se një dekadë kërkojnë drejtësi për vrasjen e djalit të tyre, ndërkohë që është e vetmja vrasje pa autor në ngjarjen e 21 janarit.
Në vitin 2020, Prokuroria e Tiranës i pezulloi hetimet edhe vrasjen e Aleks Nikës që kishte mbetur pa autorë për t’i rihapur sërish në 2021.
Familja e Aleks Nikës ka kërkuar vazhdimisht që kjo çështje ti kaloj për hetim SPAK por ky i fundit nuk pranonte të hetonte një çështje e cila po hetohej njëkohësisht edhe nga Prokuroria e Tiranës.
Në 14 nëntorit 2023, Gjykata e Strasburgut doli në përfundimin se 21 janari ishte krim shtetëror dhe duhet të hetohet si i tillë nga drejtësia shqiptare. Strasburgu vendosi që për çështjen e Aleks Nikës t’i hapej rrugë hetimit të munguar. Me anë të këtij vendim familja Nika ju drejtua Gjykatës së Lartë.
U desh një vit që Gjykatën e lartë të dilte më një vendim ku urdhëroi SPAK të regjistroi kallëzimin e familjes Nika dhe të hetoj 21 Janarin.






