Një ditë pas balotazhit, kryeministri në detyrë, Albin Kurti i ka thënë aktivistëve të partisë së tij se Vetëvendosje, ka arritur fitore më të mëdha se kurrë më parë në këto zgjedhje.
Kurti ka theksuar se partia që ai udhëheq nuk është ndalur as nga, siç e ka shprehur, bashkimi i të gjithë kundërshtarëve.
“Tash do të qeverisim në shtatë komuna të Republikës, pra më shumë se kurrë më parë. Lëvizjen tonë nuk e ndali dot as bashkimi i të gjithë kundërshtarëve. Ju faleminderit secilit për angazhimin. Na presin shumë punë e sfida, që do të thotë se përpara nesh ndodhen shumë suksese e fitore”, ka shkruar Kurti.
Ai gjithashtu u ka kërkuar qytetarëve të mbajnë përgjegjësi secilin kryetar të zgjedhur për premtimet e dhëna.
“Treguat vullnet dhe pjekuri, i kontribuuat demokracisë në Kosovë dhe orientimit të politikave publike në komunat tuaja. Mbajeni përgjegjësi tani secilin kryetar për premtimet e dhëna dhe gjendjen në qytete e fshatra”, ka shtuar Kurti.




