Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, priti në takim shefin e Divizionit për Kosovë pranë Komisionit Evropian, Jiri Plecity dhe ekipin e tij. Basha njoftoi për miratimin e Buxhetit për vitin 2026, përfshirë buxhetin për RTK-në dhe për tri komunat: Zveçan, Gjilan dhe Prishtinë.
Përmes një komunikate për medie nga Departamenti për medie e Kuvendit të Kosovës bëhet e ditur se gjatë takimit kryetari Basha e Plecity diskutuan gjithashtu edhe për ratifikimin e Marrëveshjes për Planin e Rritjes dhe Agjendën e Reformave.
“Të dy palët ndanë bindjen se këto iniciativa nuk i përkasin ndarjeve politike, por përfaqësojnë një interes të përbashkët kombëtar, zhvillimin e vendit, përmirësimin e jetës së qytetarëve, si përshpejtimin e vendit tonë në rrugën tonë drejtë familjes evropiane. Basha shprehu mbështetjen e plotë për procedimin e tyre nga Presidentja, si dhe trajtimin e shpejtë të kësaj marrëveshjeje, si dhe të marrëveshjeve të tjera ndërkombëtare që kërkojnë vëmendje urgjente për shkak të afateve të parashikuara”, thuhet në komunikatë.
Tutje bëhet e ditur se kryetari Basha kërkoi që Plecity të takohet edhe me përfaqësuesit e të gjitha partive politike në vend, në mënyrë që t’i jepet një shtysë tjetër ratifikimit të shpejtë të Marrëveshjes në Kuvend.
“Qëllimi ynë mbetet avancimi i reformave dhe stabilitetit për të mirën e qytetarëve të Republikës”, theksoi kryetari Basha.




