Kurti takon presidentin e TİKA-s, diskutojnë thellimin e bashkëpunimit dypalësh

Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, të dy vlerësuan rezultatet e deritanishme të projekteve në arsim, shëndetësi, zhvillim rural dhe bujqësi, si dhe ruajtje të trashëgimisë kulturore, duke theksuar rëndësinë e tyre për përmirësimin e shërbimeve publike dhe fuqizimin socio-ekonomik të komuniteteve lokale.

“Kryeministri  në detyrë u shpreh se Kosova e çmon partneritetin me Turqinë dhe kontributin e TİKA-s në projekte konkrete që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve tanë.

Nga ana e tij, Abdullah Eren theksoi përkushtimin e TİKA-s për vazhdimin dhe zgjerimin e programeve mbështetëse. Ai shprehu vullnetin dhe gatishmërinë që të punohet së bashku me institucionet qendrore dhe komunale për projekte të shpejta, të qëndrueshme dhe me ndikim të matshëm”, thuhet në njoftim.

Tutje bëhet e ditur se palët u dakorduan të krijohet një koordinim edhe më i afërt mes ekipeve për të identifikuar prioritete të reja, me fokus te investimet në infrastrukturë arsimore e shëndetësore, mbështetja e ndërmarrjeve të vogla rurale dhe projektet e ruajtjes së trashëgimisë.