Me ftesë të koordinatores për rastet e dhunës në familje nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit dhe njëherësh anëtare e grupit koordinues ndërministror kundër dhunës në familje, Laura Pula, është mbajtur sot takim në mes koordinatorëve për këto vepra penale nga të gjitha prokuroritë themelore, si dhe udhëheqësit të Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave, Burhan Maxhuni.
Sipas njoftimit nga ZKPSH , në këtë takim u diskutua për sfidat me të cilat ballafaqohen prokurorët në punën e përditshme lidhur me trajtimin e rasteve që kanë të bëjnë me veprat penale kundër dhunës në familje dhe dhunës në bazë gjinore dhe nevojën për të bërë tejkalimin e këtyre sfidave.
“Nga të pranishmit diskutimet u fokusuan në zgjidhjen e problemeve të dhunës në familje, me theks të veçantë në trajtimin e personave që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor e që janë kryes të veprave penale të dhunës në familje, pastaj rastet e viktimave të ndjeshme, viktimat e përsëritura etj.Gjithashtu, u potencua rëndësia e bashkëpunimit institucional, në mënyrë që viktimat e dhunës në familje të trajtohen me profesionalizëm dhe me dinjitet të plotë”.
Poashtu gjatë këtij takimi u diskutua edhe për aktivitetet që do t’i zhvillojnë prokurorët e Shtetit dhe mbrojtësit e viktimave gjatë fushatës “16 ditët e aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore”.
Edhe në këtë takim thuhet se të gjithë prokurorët koordinatorë potencuan se do të vazhdojnë bashkëpunimin ndërinstitucional dhe u zotuan që do të vazhdojnë me përkushtim edhe më të madh, me urgjencë dhe me efikasitet të trajtojnë të gjitha rastet që ndërlidhen me veprat penale kundër dhunës në familje.
Tutje bëhet e ditur se në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe nëpër të gjitha Prokuroritë Themelore, për rastet e dhunës në familje, janë të caktuar koordinatorë nga radhët e prokurorëve, të cilët merren ekskluzivisht me këto raste dhe të cilët vazhdojnë me përkushtim dhe me urgjencë të trajtojnë të gjitha rastet që ndërlidhen me veprat penale kundër dhunës në familje.




