“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk do të jetë pjesë e asnjë procesi që e shkelë Kushtetutën dhe e deformon rendin demokratik”. Ky është njëri nga përfundimet që ka dalë pas mbledhjes së kryesisë që ka mbajtur ky subjekt politik pasditen e kësaj të enjteje.
Tutje, AAK-ja ka kërkuar që buxheti i ri të miratohet vetëm pas krijimit të Qeverisë së re me mandat të plotë.
“Ne kërkojmë që buxheti i ri të miratohet vetëm pas krijimit të Qeverisë së re me mandat të plotë. Aleanca nuk do të lejojë që Qeveria në detyrë të uzurpojë kompetenca që nuk i takojnë më. Ne mbrojmë integritetin institucional dhe rendin kushtetues të Republikës. Vendi ka nevojë për një buxhet të qeverisë legjitime, jo të qeverisë në ikje. Kjo nuk është çështje teknike, por parimore: S’ka buxhet pa Qeveri. S’ka vendimmarrje pa mandat. S’ka demokraci pa respektim të Kushtetutës”, thuhet në komunikatën e AAK-së të lëshuar pas mbledhjes.
AAK-ja vlerëson se zgjidhja e vetme dhe e domosdoshme janë zgjedhjet e jashtëzakonshme. Sipas njoftimit, kryesia e kësaj partie ka konstatuar se gjendja aktuale në vend është alarmante.
“Pa qeveri legjitime dhe pa funksionim të duhur të institucioneve. Kjo situatë e rëndë politike dhe institucionale kërkon veprim të menjëhershëm. Në këto rrethana, zgjidhja e vetme dhe e domosdoshme janë zgjedhjet e jashtëzakonshme, që qytetarët të rikthejnë legjitimitetin dhe besimin në institucionet e tyre”, thuhet në njoftimin e AAK-së.
Aleanca e Haradinajt Tutje, kjo parti e ka quajtur sukses të jashtëzakonshëm fitoren në pesë komuna në zgjedhjet lokale.




