Përmes një komunikate UNMIK bën të ditur se Peter Due pason Caroline Ziadeh nga Libani, ndaj së cilës Sekretari i Përgjithshëm shpreh mirënjohje për përkushtimin e saj në forcimin e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajon, si dhe për udhëheqjen efektive të Misionit.

“Due sjell në këtë detyrë 30 vjet përvojë të gjerë në fushën e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Që nga viti 2019, ai ka shërbyer si Drejtor për Azinë dhe Paqësorin në Departamentet e Çështjeve Politike dhe të Ndërtimit të Paqes dhe të Operacioneve të Paqeruajtjes. Më parë, ai ishte Drejtor për Azinë, Lindjen e Mesme, Evropën dhe Amerikën Latine në Departamentin e Operacioneve të Paqeruajtjes (2015–2019)”, thuhet në komunikatë.

Tutje, bëhet e ditur se Due ka shërbyer gjithashtu si Përfaqësues i Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shef i Zyrës së Kombeve të Bashkuara në Beograd (2013–2015), si dhe si Zyrtar për Çështje Politike në UNMIK në Prishtinë. Në Nju Jork, ai ka mbajtur poste të tilla si Shef Kabineti/Asistent Special i Nënsekretarit të Përgjithshëm për Operacionet e Paqeruajtjes (2009–2013), Udhëheqës i Ekipit për Afrikën Perëndimore (2008–2009) dhe Udhëheqës i Ekipit për Evropën dhe Amerikën Latine (2008).

Përveç angazhimeve të tij në Kombet e Bashkuara, z. Due ka shërbyer në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Danimarkës, në Kopenhagë dhe në Eritre.