Nga ora 10:00 e së shtunës, ekipet e KQZ-së do të angazhohen në përpunimin e pakove që kanë mbërritur me postë nga votuesit jashtë Kosovës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, njoftoi se fletëvotimet që kanë ardhur nga votimi me postë jashtë Kosovës dhe që i përkasin raundit të dytë për kryetarë të 18 komunave do të trajtohen me 15 nëntor në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Sipas të dhënave të KQZ-së, deri në pasditen e së premtes janë vlerësuar dhe verifikuar mbi 12 mijë pako të supozuara me fletëvotime nga diaspora. Nga këto, më shumë se 8,930 janë aprovuar, ndërsa rreth 3,080 janë refuzuar.

Elezi bëri të ditur se arsyeja kryesore e refuzimit lidhet me mungesën e dëftesës së regjistrimit, dokumenti me të dhëna unike që iu dërgohet votuesve të regjistruar.

Ai shtoi se më 11 dhe 12 nëntor, nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete janë tërhequr gjithsej 13,084 pako me fletëvotime të supozuara, ndërsa numri i votuesve të regjistruar për votim jashtë vendit për 18 komunat ishte 29,725.