Darka e Lamës është dëshmi e punës dhe e përkushtimit ndaj jetës dhe mirëqenies së familjes, është festë tradicionale e kremtimit të të korrave vjetore. Kështu u vlerësua në ceremoninë e organizimit të kësaj ngjarjeje vjetore në Llukë të Epërme të Deçanit.

“Është shumë kënaqësi që organizojmë si fshat darkën e Lamës. Janë dy qëllime: e para është me u bashku si katund, me ndje me kanë të lirë, me qenë të afërt, me qenë të bashkuar, me u pa e me u takue, me bisedue dhe me u kënaq vetëm për qejfi, dhe e dyta padyshim është me e kultivue dhe me e ruajt traditën tonë kombëtare si vend, si popull, si komb, ashtu sic e kanë pasur zakon të parët tanë”, tha nikoqiri Hajdar Sutaj.

“Që pak a shumë traditën që ka qenë përpara ta vazhdojmë edhe sonte, duke i përfshi ushqimet tradicionale, duke përfshi edhe lojërat që janë luajt atëherë, por edhe me muzikë”, deklaroi Xhavit Mulaj, përfaqësues i fshatit.

“Darka e Lamës i ka fillet që nga ilirët e vjetër, tradicionalisht e thanë edhe parafolësit: kur mbledhen bereqetet, familja ofrohet e falënderojnë natyrën, e falënderojnë Zotin dhe të gjithë ata që e kanë ndihmuar familjen shqiptare rreth sigurimit të ekzistencës me ushqime për vete, pra për familjen, por edhe për të tjerët”, tha Bekim Vishaj, njohës i tragjegimisë.

Darka e Lamës, apo falënderimi për bereqetet e motmotit, zakonisht festohet në fund të tetorit apo në fillim të muajit nëntor.