Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar sot përmes postës zyrtare ankesën në Gjykatën Supreme të Republikës së Kosovës, duke kundërshtuar vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili refuzoi kërkesën për përsëritjen e votimit në Mitrovicë.
Sipas PDK-së, vendimi i PZAP është i gabuar dhe nuk pasqyron realitetin e parregullsive të evidentuara në qendrat e votimit në këtë komunë.
“Provat e paraqitura tregojnë qartë se procesi është cenuar dhe se vullneti i qytetarëve është ndryshuar.”, thuhet më njoftim
Me kërkesën drejtuar Gjykatës Supreme, PDK kërkon shqyrtim të plotë të çështjes dhe marrjen e një vendimi që garanton integritetin e procesit zgjedhor dhe respektimin e votës së qytetarëve të Mitrovicës.
“,Partia Demokratike e Kosovës thekson se do të vazhdojë me vendosmëri rrugën ligjore deri në sqarimin dhe korrigjimin e çdo parregullsie, duke mbrojtur votën e lirë dhe proceset demokratike në vendNë Mitrovicë, vetëm rivotimi u bën drejtësi qytetarëve. Në këtë drejtim, PDK nuk do të ndalet!” thuhet tutje në njoftimin e PDK-së
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kishte refuzuar ankesën e Partisë Demokratike të Kosovës, e cila kërkonte përsëritjen e procesit zgjedhor në Mitrovicën e Jugut. Në vendimin e publikuar, PZAP kishte konstatuar se pretendimet për parregullsi gjatë numërimit të votave nuk janë vërtetuar.
“REFUZOHET e pabazuar ankesa e subjektit politik Partia Demokratike e Kosovës (PDK)… me të cilën ka kërkuar që të urdhërohet KQZ-ja të përsërisë procesin zgjedhor në Komunën e Mitrovicës së Jugut,” thuhej në vendim.
Garën për Mitrovicën e Jugut e fitoi në balotazh më 9 nëntor Faton Peci i Lëvizjes Vetëvendosje, kundër Arian Tahirit të PDK-së.




