Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Komisionerin Parlamentar të Forcave të Armatosura të Gjermanisë, Henning Otte, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin bilateral në fushën e sigurisë dhe forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit.

 

Osmani ka shprehur mirënjohje të thellë për mbështetjen e vazhdueshme që Gjermania, Bundestagu dhe Bundeswehri i kanë dhënë Forcës së Sigurisë së Kosovës, veçanërisht në kuadër të tranzicionit dhjetëvjeçar të FSK-së drejt një force moderne dhe plotësisht funksionale, njofton zyra për informim e Presidencë.

Bëhet e ditur se gjatë takimit, Osmani dhe Otte kanë diskutuar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të komisionerëve parlamentar të dy vendeve, përmes shkëmbimit të përvojave profesionale dhe forcimit të mekanizmave të llogaridhënies dhe transparencës në forcat e armatosura.

Presidentja theksoi se Gjermania ka qenë dhe mbetet një nga partnerët më të rëndësishëm strategjik të Kosovës në proceset e paqes, sigurisë, zhvillimit dhe integrimit euroatlantik.

Ajo po ashtu shprehu mirënjohje për gratë dhe burrat e Bundeswehrit që shërbyen dhe vazhdojnë të shërbejnë në misionet e KFOR-it dhe NALT-it në Kosovë, duke kontribuar në paqen dhe stabilitetin e rajonit.

Në fund të takimit, Presidentja Osmani u ndal edhe te themelimi i institucionit të Komisionerit Parlamentar të FSK-së, të cilin e cilësoi si dëshmi të qartë se rruga e Kosovës drejt NATO-s është e bazuar në standarde, përgjegjësi dhe vlera demokratike.

“FSK do të vazhdojë të zhvillohet me përkushtim për të qenë shembull i një force mbrojtëse profesionale, etike dhe të përgjegjshme, plotësisht në zbatimin e misionit kushtetues dhe kompetencave ligjore”, u shpreh Presidentja Osmani.