Gjykata Supreme e Kosovës, ka njoftuar se në mbrojtje të konsumatorëve, ka shpallur të paligjshme dhe shfuqizon nene të Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike.
“Kolegji i Gjykatës Supreme ka aprovuar si të themeltë kërkesëpadinë e paditëses: Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), e paraqitur kundër të paditurës: Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE). Ka shpallur të paligjshëm dhe ka shfuqizuar nenin 8 të Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike, të datës 18 janar 2017”, njofton Supremja.
Supremja ka shpallur të paligjshëm dhe ka shfuqizuar nenin 2 të Udhëzuesit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë.
Në dritën e argumenteve të parashtruara dhe provave të administruara në shqyrtim gjyqësor, Gjykata Supreme e Kosovës konstaton se mospërputhjet ndërmjet dispozitave ligjore dhe dispozitave të akteve nënligjore normative kanë ndikuar në krijimin e një situate të pasigurisë juridike dhe ekonomike për konsumatorët e energjisë elektrike, duke e bërë të domosdoshme ndërhyrjen e gjykatës për interpretim të unifikuar të normave dhe për mbrojtjen e parimit të sigurisë juridike dhe të trajtimit të barabartë në tregun e energjisë elektrike.
Gjykata Supreme kishte parasysh se, Kosova, që nga viti 2005 është palë nënshkruese e Traktatit të Komunitetit të Energjisë, përmes të cilit ajo merr përsipër detyrimin për zbatimin e “Acquis communautaire” të Bashkimit Evropian në sektorin e energjisë elektrike, që detyron në mënyrë të veçantë zbatimin e Direktivave dhe Rregulloreve për Energji të Bashkimit Evropian. Për Kosovën, kjo do të thotë se institucionet shtetërore, janë të detyruara të harmonizojnë legjislacionin energjetik dhe rregullues me detyrimet që dalin nga traktati, të cilat janë ligjërisht të detyrueshme për Palët Kontraktuese.
Gjykata thekson se parimi i “efektit të konsumuar” (actus consumatus) nuk mund të interpretohet në mënyrë që të përjashtojë nga kontrolli gjyqësor aktet nënligjore që vazhdojnë të prodhojnë efekte faktike dhe juridike, për shkak se një interpretim i tillë do të cenonte të drejtën për mjet juridik efektiv, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 13 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ).
Gjykata Supreme e Kosovës, vlerëson se mospërputhja e dispozitave kontestuese të udhëzuesve të ZRRE-së, e kombinuar me interpretimet e neneve 3 dhe 37 të Ligjit Nr.05/L-084 për Energjinë Elektrike, në raport me Direktivën 2009/72/CE, ka rezultuar në një situatë juridike të paqëndrueshme, ku kufiri ndërmjet konsumatorëve që gëzojnë të drejtën e furnizimit universal dhe atyre që janë të detyruar të kalojnë në tregun e lirë nuk është përcaktuar në mënyrë të qartë e të parashikueshme.
“Gjykata, dispozitat e ligjit i interpretoi në favor të mbrojtjes së konsumatorëve dhe në frymën e direktivës së 2009/72/CE, e cila në formulimin e saj i referohet plotësimit të dy kritereve në mënyrë kumulative, si dhe mos përmbushjes së detyrimeve për hapjen efektive të tregut, konstaton se dispozitat e kontestuara të udhëzuesve të lartcekur, kanë prodhuar pasiguri juridike për konsumatorët, andaj të njëjtat shpallen të paligjshme dhe shfuqizohen”, njofton Supremja.
OEK: Fitore ligjore për bizneset kosovare!
Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), njofton se ka arritur një fitore të rëndësishme në Gjykatën Supreme ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE). Gjykata ka konstatuar si të paligjshme disa dispozita të akteve nënligjore të ZRRE-së, duke përfshirë: • Neni 8 i Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike (2017) dhe Neni 2 i Udhëzuesit për Ndryshimin dhe Plotësimin e këtij udhëzuesi (2018)
Ky vendim është një hap i rëndësishëm drejt një tregu të energjisë më të drejtë dhe transparent, duke mbrojtur interesat e bizneseve dhe konsumatorëve jo-familjarë, veçanërisht lidhur me faturimin e qershorit 2025 dhe kontratat individuale pas datës 1 qershor 2025.
OEK mbetet e përkushtuar për të siguruar konkurrencë të ndershme dhe funksionim të rregullt të tregut të energjisë. Ne do të vazhdojmë të monitorojmë zbatimin e këtij vendimi dhe të angazhohemi në krijimin e rregulloreve të reja në përputhje me ligjin.




