Gjatë vizitës së saj në Universitetin Ben Gurion, Ines Demiri u prit nga zëvendëspresidenti, Dan Blumberg, ku u diskutua për zhvillimin e programeve akademike në të gjitha nivelet, bachelor, master dhe doktoratë, si dhe për nismat e bashkëpunimit kërkimor ndërinstitucional.

Në një postim në Facebook, Demiri njofton se një vizitë tjetër u realizua në Universitetin Ariel, ku Ambasadorja u prit nga Dekani, Prof. Albert Pinhasov. Bisedimet u fokusuan në krijimin e partneriteteve të reja akademike, zhvillimin e programeve të përbashkëta studimore dhe nxitjen e shkëmbimeve studentore dhe akademike.

Pjesë e rëndësishme e vizitës ishte takimi me studentë të shkencave politike dhe marrëdhënieve diplomatike, ku Ambasadorja diskutoi për historinë e Kosovës, procesin e shtetndërtimit, vizionin për të ardhmen dhe marrëdhëniet e shkëlqyera miqësore ndërmjet Kosovës dhe Izraelit.

Kjo vizitë nënvizon angazhimin e Kosovës për të forcuar lidhjet akademike ndërkombëtare dhe për të krijuar mundësi të reja për studentët dhe institucionet e arsimit të lartë.