Me ftesë zyrtare të zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Italisë, Antonio Tajani, Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, mori pjesë sot në Konferencën e Parë Ndërkombëtare të Italofonisë, e cila u mbajt në Romë.

 

Konferenca, e para e këtij formati, konfirmoi Italofoninë si një hapësirë të rëndësishme bashkëpunimi politik, kulturor dhe institucional, ku gjuha italiane shërben si urë lidhëse mes shteteve, popujve dhe komuniteteve.

Në adresimin e saj, ministrja Gërvalla vlerësoi rolin vendimtar të Italisë në sigurinë e Kosovës, përmes pjesëmarrjes së trupave italiane në KFOR që nga viti 1999, njofton MPJD.

Ajo ka theksuar se Italia ka ofruar mbështetje të pakursyer dhe stabilitet për Kosovën gjatë viteve më të vështira pas luftës. Po ashtu, Gërvalla ka përmendur solidaritetin e shoqërisë civile italiane në procesin e rindërtimit të vendit, si dhe ndikimin e kulturës italiane, përfshirë kontributin e komuniteteve arbëreshe në ruajtjen e gjuhës dhe identitetit shqiptar.

“Kosova dhe Italia do të vazhdojnë të qëndrojnë krah për krah në fushën e sigurisë, në mbrojtjen e demokracisë dhe në rrugëtimin euroatlantik”, deklaroi ministrja Gërvalla njofton MPJD.

Ajo nënvizoi gjithashtu rëndësinë që Italofonia ka për rininë e Kosovës, si derë e hapur drejt arsimit, punës dhe integrimit evropian, si dhe për mërgatën shqiptare në Itali, e cila mbetet një urë e fortë lidhëse mes dy vendeve.

Në fund të fjalës së saj, Gërvalla falënderoi ministrin Tajani për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe për organizimin e kësaj konference që synon të thellojë më tej partneritetin strategjik mes të dyja shteteve.