Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas paraqitjes dhe dëshmisë së gjeneralit amerikan Wesley Clark në Gjykatën Speciale në Hagë. Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se roli i Clark gjatë luftës dhe mbështetja e tij për popullin e Kosovës vazhdojnë të jenë vendimtare edhe sot.
Haradinaj u shpreh se gjatë luftës populli i Kosovës e kishte shpresën te gjenerali Clark, ndërsa sot të njëjtën shpresë për drejtësi e kanë bashkëluftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë.
“Në kohën e rrezikimit të ekzistencës, populli i Kosovës shpresën e kishte te ti. Sot, populli i Kosovës dhe bashkëluftëtarët e UÇK-së, shpresën për drejtësi dhe pafajësi për çlirimtarët që po mbahen në Hagë e kanë te ti. Faleminderit, Gjeneral Clark”, ka shkruar Haradinaj.
Ai e ka vlerësuar paraqitjen e Clark në Speciale si moment të rëndësishëm për zbardhjen e të vërtetës për luftën e UÇK-së dhe për procesin e drejtësisë që po zhvillohet ndaj ish-pjesëtarëve të saj.




