Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu konferencën ndër-rajonale “30 vjet pas Pekinit – Rruga përpara”, tha se barazia gjinore është boshti mbi të cilin ngrihet e ardhmja e një shoqërie që synon drejtësi të vërtetë, institucione të përgjegjshme, dhe zhvillim të qëndrueshëm.
“Sot kur flasim për barazinë nuk flasim thjesht për të drejta individuale, flasim për arkitekturën e vetë shtetit, për rrënjët e stabilitetit dhe për themelet e demokracisë funksionale”, deklaroi ajo.
Haxhiu tha se Deklarata e Pekinit ishte një pikë kthese historike, një kontratë politike globale që e detyroi botën të shihte realitetin me sy të hapur. “Se pa gra të mbrojtura, të arsimuara, përfaqësuara e të fuqizuara ekonomikisht, shoqëritë thjesht nuk ecin përpara”, tha ajo.
Ish-ministrja e Drejtësisë, tha se sa mbante këtë pozitë bashkërisht me shumë organizata ngritën një standard të ri të veprimit, që sipas saj, nuk e pranon më heshtjen, as normalizimin e dhunës dhe as neglizhencën institucionale.
“Sfida jonë nuk është mungesa e kornizave, por ritmi me të cilin arrijmë t’i zbatojmë ato. Dhuna ndaj grave e dhuna në familje janë plagë shoqërore që nuk njohin kufij politik, ekonomik apo edhe kulturor. Pikërisht për këtë arsye gjatë mandatit tim si ministre e Drejtësisë, ne bashkërisht kemi ngritur një standard të ri të veprimit që nuk e pranon më heshtjen, as normalizimin e dhunës dhe as neglizhencën institucionale. E kemi bërë adresimin e dhunës në familje prioritet shtetëror, duke e trajtuar jo si një çështje private, por si një çështje sigurie, drejtësie dhe stabiliteti shtetëror”, deklaroi nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.




