Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në Shqipëri, informoi se, si pasojë e reshjeve intensive të shiut që kanë përfshirë disa zona të vendit, strukturat në varësi të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor janë në gatishmëri të plotë 24/7 dhe po monitorojnë situatën në kohë reale.
Në një njoftim për mediet, MSHMS theksoi se “institucionet shëndetësore po kryejnë monitorim të vazhdueshëm të situatës, verifikim të infrastrukturës, pajisjeve dhe rezervave të medikamenteve”.
Gjithashtu po kryhet koordinim i ngushtë me pushtetin vendor dhe strukturat e emergjencave civile, si dhe aktivizim i plotë i shërbimeve spitalore të urgjencës.
“Spitalet rajonale e bashkiake raportojnë se rezervat kritike (medikamente, material mjekësor, ujë të pijshëm, karburant për gjeneratorë) janë të siguruara dhe gati për përdorim”, theksoi MSHMS.
Në zonat me reshje më të dendura Kurbin, Mat, Lezhë, Shkodër, Malësi e Madhe, Tropojë, Kukës dhe Has aktualisht nuk ka problematika në ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe me funksionim normal të strukturave.
OSHKSH mbetet në komunikim të pandërprerë për çdo rast emergjent dhe situatë që kërkon ndërhyrje të menjëhershme.
MSHMS u bën apel qytetarëve të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e rrezikuara.



