Kapiteni i Zvicrës ka folur për rastin pas ndeshjes në një intervistë për SRF.

“Fishkëllimat janë gjëja e fundit që kam pritur, sidomos këtu, në shtëpi”, ka thënë Xhaka. “Më dhemb, për të qenë i sinqertë. Por duhet ta pranoj. Nuk e kam pritur, por është pjesë e futbollit. Është në rregull”.

Shoku i tij i ekipit, Breel Embolo, është përpjekur ta zbusë situatën duke kujtuar se Xhaka ka kaluar momente edhe më të vështira.

“Ai është fishkëllyer nga gjashtëdhjetë mijë tifozë dhe është kthyer edhe më i fortë. Është djalë i madh, me shpatulla të gjera. Do ta kalojë edhe këtë pa problem”, është shprehur Embolo.

Ndeshja e të martës është mbyllur me rezultat 1-1. Me këtë barazim, Zvicra e ka siguruar kualifikimin në Kupën e Botës 2026, ndërsa Kosova do të kërkojë mundësinë e saj përmes ndeshjeve të barazhit.