EULEX-i ka prezantuar Raportin e tij të 5-të publik të Monitorimit të Drejtësisë, i cili bazohet në monitorimin e rreth 400 rasteve, intervista, analizë të dhënave dhe bashkëpunim të ngushtë me policinë, prokurorinë, gjyqësorin, avokatët dhe shoqërinë civile.
Raporti vë në pah progresin e arritur dhe fushat ku nevojiten përpjekje shtesë për të rritur harmonizimin me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, sigurinë ligjore dhe besimin publik në institucionet e drejtësisë.
Shefi i Misionit, Giovanni Pietro Barbano, falënderoi partnerët e fushës së sundimit të ligjit për bashkëpunimin dhe transparencën, duke theksuar se raporti reflekton vizionin e BE-së ku pronësia vendase mbetet themel i reformave të qëndrueshme. Ai ritheksoi përkushtimin e EULEX-it për ta mbështetur Kosovën, institucionet dhe qytetarët e saj.
Në emër të Ministrit të Drejtësisë në detyrë, Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, vlerësoi raportin si një mjet të rëndësishëm për avancimin e reformave, duke ripohuar përkushtimin e Kosovës për një sistem drejtësie të pavarur, profesional, të përgjegjshëm dhe efikas.
Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, U.D. Kryeprokurori i Shtetit, Besim Kelmendi, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Albert Zogaj, Prokurori i Shtetit dhe anëtari i Këshillit Prokurorial, Milot Krasniqi, si dhe Zëvendës-Drejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Janković, komentuan mbi gjetjet e raportit, të prezantuara nga Shefi i Njësisë së Monitorimit të Rasteve në EULEX, Hubert van Eck Koster. Ata e cilësuan raportin si udhërrëfyes të besueshëm dhe të bazuar në fakte për identifikimin e boshllëqeve dhe për përmirësimin e ndarjes së drejtësisë.
Në një bashkëbisedim të moderuar nga Zëvendës-Shefja e Misionit, Emily Rakhorst, u diskutua për nevojën e zbatimit të drejtë dhe konsekuent të kornizës ligjore në fusha të ndryshme, përfshirë dhunën me bazë gjinore dhe drejtësinë miqësore për fëmijët.





