Takimi u kryesua nga sekretari i përgjithshëm i MPJD-së, Ilir Muçaj, dhe drejtori i Koordinimit të Programeve të KiE-së në Strasburg, Claus Neukirch.

Sekretari Muçaj falënderoi anëtarët për angazhimin dhe theksoi se ky takim konfirmon përkushtimin e ndërsjellë për fuqizimin e standardeve evropiane dhe avancimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në KiE.

Ai rikujtoi se që nga viti 2013, Këshilli i Evropës ka qenë partner kyç i Kosovës në forcimin e demokracisë, sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut, duke vlerësuar rezultatet e projekteve të financuara deri më tani.

Muçaj tha se po punohet me partnerët ndërkombëtarë për sigurimin e kontributeve vullnetare nga shtetet anëtare të KiE-së, për të garantuar vazhdimësinë e projekteve demokratike në vend. Ai theksoi se raportet e Asamblesë Parlamentare dhe të raportuesve konfirmojnë se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret ligjore për anëtarësim, pavarësisht sfidave gjeopolitike.

MPJD shprehu mirënjohje për bashkëpunimin e ngushtë me Këshillin e Evropës dhe ritheksoi përkushtimin institucional për të çuar përpara proceset drejt anëtarësimit të plotë të Republikës së Kosovës në KiE.