Pas protestave në Prishtinë, Tiranë, Hagë e Strasburg, mbështetësit e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të mblidhen në Shkup të Maqedonisë së Veriut.

 

Ky vendim u mor në takimin e kreut të OVL të UÇK-së, Hysni Gucati, me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, të cilët njoftuan se protesta e radhës do të mbahet në dhjetor, në vazhdën e protestave ku u kërkua liri për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin.

“Ne do ta mbajmë para 22 dhjetorit, arsyet dihen, shkaqet të gjitha, që ne do ta shprehim pakënaqësinë tonë bashkë me vëllezërit tonë atje në Maqedoni, se jemi kundër padrejtësisë, jo kundër gjykatës, pra kundër padrejtësisë që po ndodh në Hagë, ju i keni pa edhe dëshmitarët, edhe dëshmitarët e fundit të mbrojtjes që kanë qenë, ne do ta ngrisim zërin, protesta do të ketë karakter kombëtar, gjithëpopullore sikur në Tiranë, Prishtinë, e njëjta protestë do të jetë””, tha Hysni Gucati, kryetar i OVL të UÇK-së.

Ahmeti tha se dëshminë që dha dje Clark në Hagë për Millosheviqin, ia kishte rrëfyer atij kohë më parë.

“Dje në tribunal mu rrëqeth trupi kur e dëgjova që ia thotë edhe tribunalit gjenerali Clark që e citon Millosheviqin, a ka dëshmi më të madhe se sa kjo, kur vet presidenti  i shtetit pohon para gjeneralit se ne do ti vrasim të gjithë shqiptarët, për këtë arsye këto protesta, këto demostrata shfaqin solidaritet për pafajësinë dhe veprat e pabëra nga djemtë të cilët akuzohen padrejtësisht në Hagë me dosje që i ka përpilu dhe hartu shërbimi sekret i Serbisë”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

I pyetur nëse ka rrezik për arrestim të pjesëtarëve të UÇK-së në Maqedoni, Gucati tha se nuk beson që Maqedonia do ta dëgjojë Serbinë për të arrestuar dikë, mirëpo nëse dikush ndihet i pasigurt, atëherë mos të shkojë në protestë.

Gucati, në emër të të gjithë veteranëve, i ndau mirënjohje Ahmetit për kontributin, punën dhe mbështetjen që e ka dhënë ndër vite, si në luftë dhe në paqe, për të gjithë ushtarët dhe krerët që po gjykohen në Hagë.

Ahmeti është njëri nga personalitetet që ka qenë më i zëshmi dhe më mbështetësi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, që nga fillimi i procesit gjyqësor në Hagë.