Zemaj tha se LDK nuk do të marrë pjesë në këtë seancë, të cilën ai e konsideron të kundërligjshme dhe të nxituar.

Gjatë deklarimit të tij për media, Zemaj u shpreh:

“Po ju drejtohem me këtë konferencë për media e cila është më legjitime sesa kjo seancë e thirrur sot në ora 11, e thirrur nga Vetëvendosja, një seancë që nuk është asgjë tjetër përveç një mjet i zakonshëm popullist dhe veprim politik me të cilin Lëvizja Vetëvendosje është mësuar të operojë pas konsumimit të çdo forme të manipulimit të opinionin publik të muajit prill, për të fshehur mungesën e numrave për krijimin e institucioneve, sot provohet ta quajmë ashtu treni i fundit. Një seancë jo legjitime, jo logjike dhe plotësisht jo me rendin kushtetues dhe me logjikën e praktikën parlamentare vetëm që Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje të zhveshet nga përgjegjësia e dështimit të saj.
Në agjendën e seancës së orës 11 kanë përfshirë propozim buxhetin e politik të Republikës së Kosovës për vitin 2026, marrëveshje ndërkombëtare, kredi, borxhe dhe projektligje buxhetore të cilat kërkojnë proces serioz dhe konsultim të mirëfilltë dhe jo improvizime të ngutshme që shpërfillin rregulloren dhe reduktojnë agjendën shtetërore në dekor fushate. Për këtë arsye nuk merr pjesë në këtë seancë” tha Armend Zemaj, LDK.

“Nuk kemi votë për asnjë mandatar të LVV-së pa marrëveshje politike”, tha Armend Zemaj nga LDK, duke theksuar se do të votojnë kundër në seancën e dytë të jashtëzakonshme të Kuvendit, për formimin e qeverisë së Kosovës.