Komisioni Evropian ka nisur procedura kundër Sllovakisë dhe kryeministrit të saj nacionalist, Robert Fico, për një ndryshim të kontestuar kushtetues.

 

”Shteti po shkel parimin që ligji i BE-së ka përparësi mbi ligjin kombëtar”, tha sot një zëdhënës i komisionit.

Sllovakia ka tani dy muaj kohë për t’u përgjigjur kërkesës së Komisionit Evropian.

Ndryshimi kushtetues në Sllovaki, i cili ka hyrë në fuqi më 1 nëntor, përcakton se vendimet mbi ”çështjet kulturore dhe etike si arsimi, jeta familjare dhe gjuha”, në të ardhmen ”do të jenë ekskluzivisht kompetencë e legjislacionit kombëtar”.

Fico e prezantoi ndryshimin në janar dhe ai u miratua nga parlamenti në fund të shtatorit.

”Na vjen keq që shqetësimet e shprehura nga Komisioni nuk janë marrë parasysh nga autoritetet sllovake”, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian.

”Nuk mund ta imagjinoj që ndonjë organizatë ndërkombëtare mund të na diktojë sa gjini ka, kush mund të martohet dhe kush jo. Kjo është një çështje krejtësisht e brendshme. Është një komponent shumë i fortë i identitetit kombëtar”, kishte thënë në fillim të nëntorit kryeministri Fico duke injoruar kritikën e pritur nga Brukseli.

Ndryshimi kushtetues gjithashtu vendos kufizime mbi të drejtat e personave transgender dhe çiftet e së njëjtës gjini.

Ndryshimi përcakton gjithashtu se vetëm çiftet e martuara do të lejohen të adoptojnë fëmijë, duke përjashtuar praktikisht çiftet e së njëjtës gjini, pasi në Sllovaki nuk ekziston martesa për të gjithë.

Megjithatë, procedurat e BE-së, që janë nisur tani, kufizohen vetëm në dispozitat mbi përparësinë e ligjit kombëtar mbi ligjin evropian.