Ish-zyrtari policor i Kosovës, Arbnor Spahiu, i cili ishte arrestuar muaj më parë nga autoritetet serbe, është liruar sot dhe tashmë ka arritur në Republikën e Kosovës.
Lajmin e ka bërë të ditur avokati Arianit Koci si dhe familjarët e Arbnorit.
“Sot, pas muajsh të gjatë ankthi, pas një padrejtësie të rëndë – Arbnor Spahiu është i lirë. E kam thënë që në ditën e parë: do të kthehet. Nuk ishe lehtë, por ia dolëm”, ka shkruar Koci.
E lirimin e tij e ka konfirmuar edhe familjari i tij, Shkëlzen Spahiu përmes një postimi në rrjetet sociale. “Arbnor Spahiu sapo ka shkelur tokën e Republikës së Kosovës. Ju falënderojmë në emër të familjes për përkrahjen që na keni dhënë në këto ditë të vështira. Arbnori është mirë me shëndet. Urojmë që ky të jetë rasti i fundit për shtetasit tanë”, ka shkruar ai.
Spahiu u arrestua në qershor të këtij viti nga policia serbe në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë për kinse kryerje të veprës penale “vrasje e rëndë”, në fshatin Banjskë të Zveçanit.



