Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar sot se Komuna e Prishtinës i ka bërë kërkesë Thesarit për alokim të parakohshëm të një të dymbëdhjetës (1/12) së buxhetit të muajit dhjetor. Ky alokim do t’i mundësonte komunës që një pjesë të mjeteve të parashikuara për dhjetorin t’i shpenzojë gjatë muajit nëntor, me qëllim që të paguhen faturat e grumbulluara, përfshirë edhe ato të energjisë elektrike.
Sipas Murati, ky është një hap i përkohshëm që nuk e zgjidh problemin bazë të financimit, por vetëm e shtyn atë, pasi muajit dhjetor më pas do t’i mungojë buxheti i rregullt. Megjithatë, duke marrë parasysh gjendjen financiare të komunës, Thesari pritet ta miratojë këtë alokim që të mundësohet pagesa e një pjese të obligimeve të prapambetura.
Murati ka deklaruar gjithashtu se situata aktuale do të ishte shmangur nëse buxheti i Komunës së Prishtinës do të ishte miratuar në seancën e mbajtur dy ditë më parë. Ai kritikoi grupin e LDK-së për mungesë në seancë, duke thënë se refuzimi për të marrë pjesë ka pamundësuar miratimin e buxhetit.
Ministri në detyrë komentoi edhe akuzat e LDK-së të bëra një ditë më parë, sipas të cilave Ministria e Financave po pengonte financimin e çerdheve në kryeqytet. Murati i cilësoi këto akuza si të pabazuara, duke theksuar se përgjegjësia për situatën bie mbi ata që nuk e votuan buxhetin e Prishtinës.



