Punëtorët e RTK-së, nga nesër do të hyjnë në grevë dyorëshe, siç ka planifikuar Sindikata e Punëtorëve e RTK-së. Veç kësaj, sindikata ka kërkuar që fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare të bojkotohet nga RTK-ja. E drejtori programor i RTK-së, Rilind Gërvalla, thotë se pavarësisht situatës, institucioni mbetet i përkushtuar ndaj pavarësisë editoriale dhe funksionimit normal.
Sindikatat e Punëtorëve të RTK-së nga nesër do të futen në grevë dyorëshe, si pasojë e vonesës së pagave për muajin tetor, ndërkohë që nuk ka asnjë sinjal se ato do të merren në fund të këtij muaji apo gjatë muajit dhjetor. Kritike është cilësuar situata e punëtorëve, nga kryesindikalisti i SPERTK-së, Gëzim Bimbashi.
“Është gjendje shumë e rëndë për kolegët tanë, është gjendje shumë e rëndë për transmetuesin e vetëm poublik. Andaj, nga këtu i bëj thirrje kryeministrit në detyrë, z. Kurti që të gjejë zgjidhje ligjore, zgjidhje ligjore ka mjaft, ndërkaq tash nuk kemi kuvend të Republikës së Kosovës, andaj kërkesa e Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së, është e drejtuar drejt Qeverisë së Kosovës. Mund të bëhet zgjidhje siç është bërë në muajin gusht”, thotë Bimbashi.
Edhe Sindikata e Radio Kosovës ka konfirmuar se punëtorët nuk kanë mjete as për transport, e disa prej tyre as për ilaçe, për shkak të situatës së rëndë ekonomike.
“Është kërkesë unanime e të gjithë punëtorëve të Radio Kosovës që të hënëën nga ora 11:00 deri në orën 12:00 eventualisht në orën 12:15 të organizohet një grevë e përgjithshme për shkak të mungesës së pagave. Ka shumë punëtorë qe vijnë nga komuna të ndryshme dhe të cilët nuk kanë mjete financiare as për transport. Majde ka edhe punëtorë që kanë edhe sëmundje malinje apo sëmundje të tjera e të cilët nuk kanë mjete as për ilaçe. Situata e krijuar në Radio Televizionin e Kosovës, në mediumin e vetëm publik në Kosovë po shkon çdo ditë e më tepër duke u rënduar”, thotë Pajazit Krasniqi kryetar i Sindikatës së Radio Kosovës.
Sindikatat kanë kërkuar nga Menaxhmenti i RTK-së që të bojkotohet edhe fushata elektorale. E përballë situatës së krijuar, drejtori programor i RTK-së, Rilind Gërvalla, ka reaguar duke bërë thirrje për ruajtjen e stabilitetit dhe funksionimit normal të institucionit publik.
Gërvalla tha se, ndonëse kompetencat financiare i takojnë drejtorit të përgjithshëm, ai po punon çdo ditë për të siguruar respektim të punonjësve, funksionim të rregullt të redaksive dhe pavarësi editoriale, veçanërisht në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.
“Situata e fundit ka sjellë shqetësime të mëdha, por RTK mbetet e përkushtuar ndaj pavarësisë editoriale, profesionalizmit dhe transparencës. Çdo çështje e ngritur nga punëtorët po e trajtoj me seriozitet që të mos ndikojë në cilësinë e punës sonë, tha drejtori Gërvalla.
Ai shtoi se: mbulimi i fushatës zgjedhore do të jetë i balancuar dhe i paanshëm, RTK nuk do të bëhet pjesë e tensioneve politike, për kërkesat financiare, ai ka informuar dhe dokumentuar nevojat programore te organet përgjegjëse, punëtorët kanë kryer detyra të rëndësishme profesionale, përfshirë tri palë zgjedhje dhe Festivalin e Këngës, ndaj meritojnë zgjidhje të menjëhershme.
Sindikatat paralajmërojnë se greva do të vazhdojë deri në alokimin e buxhetit për RTK-në, dhe përveç grevës, do të organizojnë edhe protestë para Qeverisë dhe Kuvendit ditët në vijim. Në mungesë të pagave dhe zgjidhjes institucionale, rrezikohet funksionimi i programeve dhe misioni publik i transmetuesit të vetëm në vend.




