Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njofton se ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë aktakuzë kundër D.N., i cili akuzohet për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, të sanksionuar me nenin 142, lidhur me nenin 30 të Ligjit Penal të RSFJ-së, “si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale”.

Në komunikatë thuhet se Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit për veprimet e kryera gjatë mars–prillit 1999, kur ai ishte komandant i nënstacionit në Zhegër të Komunës së Gjilanit. Sipas aktakuzës, D.N. “nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të parandaluar plaçkitjet, dëbimin dhe vrasjet e 29 civilëve shqiptarë”.

Prokuroria thekson se i pandehuri ishte në dijeni se “më 30 mars 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe, nën komandën e tij, kishin rrethuar fshatin Zhegër”, ndërsa më 27 mars 1999 “ishte sulmuar fshati Llashticë”.

Në aktakuzë përmendet edhe fakti se D.N., “së bashku me komandantin e Stacionit të Policisë në Gjilan, kishin urdhëruar tjetërsimin e vendit të ngjarjes me qëllim të zhdukjes së gjurmëve të krimit”.

Prokuroria shton se i pandehuri, “edhe pse ishte njoftuar përmes një letre nga të dëmtuarit, nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim për të parandaluar, ndaluar ose për t’i paraqitur rastet për hetim, por ishte larguar nga vendi i ngjarjes”.