Komisioni ka bërë të ditur përmes një njoftimi se gërmimet janë zhvilluar në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë për Krime Lufte dhe Institutin e Mjekësisë Ligjore.

“Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë për Krime Lufte (DHKL) dhe Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), gjatë aktiviteteve të planifikuara sot ka zhvilluar gërmime vlerësuese në dy lokacione në terren, të iniciuara nga Sektori për Persona të Zhdukur i DHKL-së në bashkëpunim me familjarët e personave të zhdukur dhe qytetarët. Në këto dy lokacione, një në regjionin e Pejës dhe një në regjionin e Prizrenit janë gjetur dhe zhvarrosur mbetje mortore, që potencialisht mund t’u përkasin viktimave të luftës së fundit në Kosovë dhe personave që ende figurojnë në listën e të zhdukurve,” thuhet në njoftim.

Mes tjerash theksohet se pas konfirmimit dhe identifikimit përmes analizës së ADN-së, familjarët do të njoftohen zyrtarisht nga Komisioni, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse.