“Trafiku Urban” ka njoftuar se nga sot do të ndërpritet qarkullimi i të gjitha linjave. Sipas kësaj ndërmarrjeje komunale, kjo vjen si pasojë e vështirësive financiare.
Në njoftim thuhet se “gjatë ditëve të fundit jeni njoftuar për vështirësitë financiare me të cilat po përballet ndërmarrja. Si pasojë e këtyre vështirësive dhe mungesës së karburanteve, përkundër vullnetit tonë, jemi të detyruar të ndërpresim qarkullimin e të gjitha linjave të Trafikut Urban, duke filluar nga e hëna”.
Ndërmarrja shpreh keqardhje për pasojat që kjo ndërprerje do t’u shkaktojë qytetarëve dhe sqarojnë se qarkullimi do të rifillojë menjëherë pas lëshimit të mjeteve nga Ministria e Financave, të cilat i mundësojnë Komunës së Prishtinës të shlyejë obligimet ndaj ndërmarrjes.
Sipas njoftimit, ndërmarrja ka bilanc pozitiv dhe stabilitet financiar; megjithatë, vonesat e Komunës së Prishtinës kanë krijuar një situatë të paqëndrueshme që i ka detyruar të pezullojnë shërbimin.
Duke kërkuar falje ndaj qytetarëve, “Trafiku Urban” njofton se transporti publik do të mbetet i pezulluar deri në lëshimin e mjeteve.



