Bislimi ka njoftuar në Facebook se, gjatë takimit ai e ka informuar ministrin gjerman për ecurinë ekonomike dhe progresin demokratik të Kosovës, duke theksuar rritjen ekonomike, uljen e papunësisë, rritjen e prodhimtarisë, si dhe përpjekjet e vazhdueshme në sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit.

Në qendër të diskutimit ka qenë edhe procesi i integrimit evropian. Bislimi ka theksuar rëndësinë e pranimit të pyetësorit dhe marrjes së statusit të vendit kandidat, si hapa që do të mundësonin zgjerimin e bashkëpunimit dhe përafrimin me Bashkimin Evropian, duke forcuar perspektivën evropiane të vendit.

“Integrimi në BE mbetet për Kosovën orientim strategjik dhe aspiratë kyçe. Krahas avancimit të rrugëtimit drejt BE-së, edhe përfundimi i procesit të anëtarësimit në Këshillin e Evropës mbetet tejet i rëndësishëm”, ka shkruar Bislimi në Facebook.