Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllimet e tij të sinqerta për familjen Kasapi, pas vdekjes së këngëtarit dhe artistit të njohur shqiptar, Shpat Kasapi.
Në një telegram ngushëllimi, kryeministri Kurti ka theksuar se ndarja e parakohshme dhe e papritur e artistit ka shkaktuar dhimbje të madhe në mbarë komunitetin shqiptar.
“Një ikje e tillë, e papritur dhe e parakohshme, dhemb shumë dhe vjen si e padrejtë. Humbja e tij na ka prekur të gjithëve, pa marrë parasysh profesionet apo gjeneratat”, ka shkruar Kurti.
Ai vuri në pah kontributin e Kasapit në muzikën shqipe, duke kujtuar se shumë breza janë rritur me këngët e tij emblematike. Kurti e përshkroi atë si një artist të dashur, punëtor dhe karizmatik, që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në skenën muzikore.
“Muzika e tij ka arritur të bashkojë shqiptarë gjithandej botës, por më së shumti shqiptarët e Kosovës, Luginës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Ky kontribut do të mbetet përherë i pashlyeshëm”, thuhet më tej në telegram.
Kryeministri Kurti u ka shprehur ngushëllime të thella familjarëve, komunitetit artistik, miqve dhe bashkëpunëtorëve të artistit. “Zoti u dhashtë forcën për të përballuar këtë humbje”, thuhet në telegramin e kryeministrit në detyrë Albin Kurti.




