Nëntë ndërmarrjet publike komunale të kryeqytetit janë buzë kolapsit. Trafiku Urban, tash e tri ditë nuk është në funksion duke u bërë shqetësim për qytetarët.
Kërkesë për ekzekutimin e pagave, pos punonjësit e Trafikut Urban, kanë bërë edhe punonjës të ndërmarrjeve tjera. Punëtorët e ndërmarrjes publike “Hortikultura” në Prishtinë, punojnë në kushte të rënda dhe në fund të tetorit prisnin pagat e muajit gusht.
Kompania regjionale e mbeturinave “Pastrimi” nëpër kohë është përballur me mungesë parash. Gjendja e krijuar me buxhetin e kryeqytetin me këtë ritëm pritet të përbëjë rrezik edhe në segmente të vjetra.
Dhe gjendjes së krijuar i ka paraprirë vetë pushteti komunal. Bekim Salihu nga institute GAP numëron gabimet që nisën të krijojnë problemet.
“Buxheti nuk është miratuar deri më 30 shtator, siç e kërkon ligji. Kur buxheti u miratua më 9 dhjetor 2024, ai u miratua sipas shumës së vitit të ardhshëm, ndonëse në raste vonesash ligji parasheh miratimin sipas shumës së vitit përkatës. Kjo më pas e ka bërë të domosdoshme që buxheti të miratohet edhe në Qeverinë e Kosovës dhe më pas në Kuvendin e Kosovës. Komuna nuk ka miratuar bartjen e të hyrave vetanake nga viti 2024 në vitin 2025, duke krijuar edhe një mospërputhje shtesë me procedurat ligjore”, ka thënë ai.
Ndërkohë sipas Salihut, përgjegjësia mbetet edhe te subjektet politike.
“Situata e krijuar është nga papërgjegjësia dhe inatet mes subjekteve politike, të cilat kanë llogaritur në dëmin e tjetrit, pa u interesuar dëmi ose interesi i qytetarëve”, tha ai.
Kuvendi Komunal i Prishtinës ka paralajmëruar se do të mblidhet nesër në një seancë të jashtëzakonshme me pika të rendit të ditës, propozim-vendimin për bartjen e mjeteve nga viti 2024 në vitin 2025 dhe propozim-vendimin për miratimin e buxhetit të Komunës së Prishtinës për vitin 2026.
Njohës të pushtetit lokal, nënvizojnë se në asnjë rast në të kaluarën nuk ka qenë praktikë që seanca e Kuvendit Komunal të thirret me asamblistë të vjetër, ndonëse ekzistojnë të certifikuar asamblistët e rinj. Ndërkohë që zyrtarë të komunës i referohen ligjit për zgjedhjet lokale.
“Instanca që duhet të validojë ose të kontestojë ligjshmërinë e kësaj mbledhjeje është Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal”, ka thënë Pëllumb Bajçinovci, zëdhënës i komunës së Prishtinës.
Sipas ligjit për zgjedhjet lokale, Kuvendet e komunave dhe Kryetarët e Komunave, vazhdojnë funksionin e tyre deri në inaugurimin e organeve të reja, përveç në rast se ato shpërbëhen në pajtim me Ligjin për vetëqeverisjen lokale.



