Ngjarja sportive u mbajt në një atmosferë të ngrohtë e vëllazërore në Akademinë e Sigurisë së Policisë së Shqipërisë në Tiranë. Në ndeshjen miqësore të futbollit të vogël mes ekipeve të Policisë së Kosovës dhe Policisë së Shqipërisë, sportistët treguan disiplinë, profesionalizëm dhe respekt të ndërsjellë, duke dëshmuar se vlera kryesore e aktivitetit ishte vetë gara dhe festimi i përbashkët i kësaj dite të shenjtë kombëtare.

Para nisjes së aktivitetit, kryetarët e dy sindikatave, Avdi Hoti dhe Sadedin Fishta, së bashku me stafin menaxhues, u pritën në një takim zyrtar nga Rektori i Akademisë së Sigurisë, Prof. Dr. Ilirjan Mandro. Gjatë takimit u theksuan mesazhe të forta bashkimi, bashkëpunimi dhe rëndësia e kremtimit të përbashkët të festave mbarëkombëtare.

Ky organizim edhe një herë dëshmoi se sporti mbetet urë lidhëse mes institucioneve dhe qytetarëve, ndërsa sportistët janë ambasadorët më të mirë të frymës së partneritetit ndërmjet dy vendeve.

Në fund të aktivitetit, pjesëmarrësve të të dy ekipeve iu shpërndanë medalje nderi, si mirënjohje për kontributin dhe pjesëmarrjen në këtë ngjarje të dedikuar festës së 28 Nëntorit.