RTSH
Presidenti i Republikës, së Shqipërisë, Bajram Begaj priti sot një grup aktivistësh të Diasporës të ardhur nga 11 shtete të ndryshme të SHBA, përfaqësues të organizatave GERMIN dhe Global Albanians Foundation (GAF).
Ky takim, i zhvilluar në prag të Festave të Nëntorit, ka një simbolikë domethënëse për forcimin e lidhjeve me Diasporën, roli i së cilës është pjesë e rëndësishme e agjendës së Kreut të Shtetit.
Ndërsa ndau me pjesëmarrësit mbresa nga takimet me shqiptarë që jetojnë jashtë vendit të cilët i ka takuar gjatë vizitave zyrtare, Begaj vlerësoi veprimtarinë e përbashkët të tyre për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit dhe lidhjen me origjinën.
Begaj rikonfirmoi edhe në këtë takim qëndrimin e tij se Diaspora mbetet një ndër shtyllat më të rëndësishme të kombit shqiptar në politikë, kulturë, ekonomi dhe identitet.
Teksa u njoh me rezultatet e programin e OriginAL, që synon lidhjen e të rinjve të Diasporës me vendlindjen, Presidenti u shpreh se të rinjtë janë ata që përfaqësojnë kapitullin e ardhshëm të marrëdhënieve Shqipëri-Diasporë.
“Çdo kontributi juaji është i mirëpritur. Ju jeni ylli shqiptar që shkëlqen kudo dhe i sillni Shqipërisë energjinë pozitive, ekspertizë dhe më shumë mundësi zhvillimi”, u shpreh Begaj.
Kreu i Shtetit shprehu mirënjohje ndaj pjesëmarrësve për ndihmat e dhëna pas tërmetit të vitit 2019 në Shqipëri dhe gjatë periudhës së pandemisë. Gjithashtu, i përgëzoi ata për donacionet që japin për shoqatat jofitimprurëse në Shqipëri, Kosovë, por dhe në vendet e tjera të rajonit ku banojnë shqiptarë.
Presidenti Begaj i inkurajoi veprimtarët e Diasporës për të mbajtur kontaktet mes njëri-tjetrit, për të shkëmbyer vizita dhe për të kontribuar secili në mënyrën që mundet.




