Forca e Sigurisë së Kosovës ka ftuar të gjithë qytetarët të marrin pjesë në “Ditën e Hapur”, e cila mbahet me rastin e ‘Ditës së Forcës’, nga ora 09:00 deri në ora 14:00.
Në njoftim thuhet se në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, nga ora 09:30, do të jenë të pranishëm udhëheqës të lartë shtetërorë, mysafirë dhe ambasadorë të vendeve mike.
FSK-ja bën të ditur se të gjithë qytetarët janë të mirëseardhur të vizitojnë kazermat e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Prishtinë, Prizren, Pomozotin, Istog, Ferizaj, Mitrovicë dhe Gjilan.
“Në të gjitha kazermat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, qytetarët do të kenë mundësi të shohin kapacitetet ushtarake, të cilat do të jenë të ekspozuara në këtë ditë feste”, thuhet në njoftim.
Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, u ka uruar ushtarakëve, pjesëtarëve aktivë dhe rezervë të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës, me rastin e “Ditës së Forcës”.
“Më lejoni t’ju përcjell urimet më të sinqerta për këtë ditë të rëndësishme për institucionin tonë dhe për gjithë qytetarët e vendit. FSK-ja, që nga themelimi deri më sot, ka dëshmuar përkushtim, profesionalizëm dhe disiplinë në përmbushjen e misionit të saj për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, si dhe për mbështetjen e paqes, sigurisë dhe zhvillimit të vendit tonë.
Në këtë ditë të veçantë, ju falënderoj për përkushtimin dhe sakrificën e përditshme në shërbim të atdheut. Urime të gjithë pjesëtarëve të FSK-së! Bashkë me nder e përkushtim, do të vazhdojmë ta forcojmë Forcën tonë dhe ta mbrojmë atdheun tonë të dashur. Urime “Dita e Forcës”!”, thuhet në urimin e Komandantit të FSK-së.




